Ledina Aliolli ngre alarmin për emigracionin masiv: Shqipëria po zbrazet çdo ditë, të rinjtë dhe familjet po largohen pa kthim

Data

Deputetja e opozitës Ledina Aliolli ka ngritur alarmin për krizën demografike dhe emigracionin masiv në Shqipëri, duke deklaruar se vendi po përballet me një situatë të rëndë sociale dhe ekonomike për shkak të largimit të vazhdueshëm të të rinjve.

Në një deklaratë publike, Aliolli tha se të dhënat e INSTAT, Eurostat dhe organizmave ndërkombëtarë tregojnë se Shqipëria mbetet ndër vendet më të prekura nga emigracioni në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, vendi po humbet çdo ditë të rinj, profesionistë dhe familje të reja, të cilët largohen për shkak të mungesës së perspektivës, meritokracisë dhe sigurisë ekonomike.

“Shqipëria po zbrazet çdo ditë, teksa të rinjtë ikin dhe nuk kthehen më”, deklaroi Aliolli, duke e cilësuar situatën një “alarm kombëtar”.

Deputetja theksoi se emigracioni dhe ulja e lindshmërisë kanë sjellë pasoja serioze për strukturën sociale dhe ekonomike të vendit. Ajo përmendi boshatisjen e shkollave dhe fshatrave, mungesën e fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë si tregues të krizës demografike.

Sipas Aliollit, largimi i vajzave dhe grave të reja është veçanërisht shqetësues, pasi ndikon drejtpërdrejt në rënien e lindshmërisë dhe në dobësimin e strukturës familjare.

Deputetja akuzoi qeverinë e Edi Rama se po fokusohet tek propaganda dhe jo tek zgjidhja e problemeve reale të qytetarëve.

Ajo bëri të ditur se opozita ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin për të diskutuar krizën demografike dhe emigracionin masiv.

Aliolli shtroi disa pyetje për qeverinë, duke kërkuar sqarime mbi masat konkrete për ndalimin e largimit të të rinjve dhe përballimin e krizës së pensioneve dhe mungesës së fuqisë punëtore në të ardhmen.

“Nje vend që humbet brezin e ri, ka humbur vetveten. Ka varrosur shpresën”, përfundoi ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related