Detaje të reja janë bërë publike nga dosja hetimore e SPAK ndaj Monika Kryemadhi, ku dokumentohen komunikime me biznesmenin shqiptaro-amerikan Adrian Shatku lidhur me blerje luksoze, karta krediti dhe interesa biznesi në sektorin e fibrave optike.
Sipas dosjes, më 24 shtator 2014 Kryemadhi i ka shkruar Shatkut në WhatsApp duke i treguar se ndodhej në San Marino. Një ditë më vonë, ajo ka tentuar të kryejë blerje në butikët luksozë “Ferreti Boutique” dhe “Maccapani”, por karta “American Express Black” nuk po funksiononte.
Në komunikimet e administruara nga SPAK, Shatku i shpjegon se kompania e kartës kishte dyshuar se ajo ishte vjedhur dhe se sistemi ishte “resetuar” për ta riaktivizuar.
Sipas hetuesve, fillimisht Kryemadhi ka paguar rreth 3 mijë euro me kartën e saj personale, ndërsa më pas është përdorur karta “Black” e lidhur me Adrian Shatkun për një pagesë prej 12 mijë eurosh në butikët e San Marinos.
Autoritetet e San Marino kanë konfirmuar përmes letërporosisë se më 26 shtator 2014 është kredituar pagesa prej 12 mijë eurosh në llogarinë e kompanisë “Maccapani S.R.L”, transaksion që sipas SPAK përputhet me komunikimet WhatsApp mes palëve.
Në të njëjtat biseda përmenden edhe çështje që lidhen me projektin e fibrave optike në Shqipëri. Sipas dosjes, Shatku i shkruante Kryemadhit se ministri i atëhershëm Edmond Haxhinasto duhej të jepte akses për projektin.
Në një prej komunikimeve thuhet:
“Mondi duhet të japë akses siç është ATU e Bashkimit… është paralizuar tregu dhe pasuria publike për Bashkimin dhe Zenin.”
Sipas SPAK, “Bashkimi” i referohet biznesmenit Bashkim Ulaj, ndërsa “Zeni” është Shkëlzen Berisha.
Në vijim të komunikimeve, Kryemadhi i sugjeron Shatkut të bëjë një kërkesë zyrtare për ministrin, me qëllim sigurimin e të drejtës për vendosjen e fibrave optike në akset rrugore.
Sipas organit të akuzës, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dyshohet se kanë ushtruar ndikim ndaj institucioneve shtetërore për të favorizuar kompaninë “UNIFI Communication INC” të Adrian Shatkut.
SPAK pretendon se Kryemadhi ka përfituar:
- udhëtime dhe akomodime luksoze në SHBA dhe Angli;
- karta krediti;
- pagesa për blerje personale;
- si dhe financime të tjera të lidhura me aktivitetin ekonomik të kompanisë “UNIFI Holdings”.
Në dosje përmenden edhe pagesa të kompanisë “UNIFI Communication INC” ndaj kompanisë amerikane “JPM Strategic Solutions”, e lidhur me kontratat e konsulencës së LSI.
Sipas SPAK, gjatë viteve 2016–2017 janë kryer 12 transferta bankare drejt kompanisë së konsulencës, ndërsa hetuesit po verifikojnë origjinën dhe destinacionin e plotë të fondeve.
Në përfundim të analizës së komunikimeve, SPAK arrin në konkluzionin se Kryemadhi dhe Shatku “flasin si bashkëpunëtorë dhe ortakë biznesi” në aktivitetet që lidhen me interkoneksionin telefonik dhe projektet e fibrave optike.
SPAK thekson se hetimet vijojnë dhe se personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
