Together for Life ka publikuar raportin “Monitorimi i Shpenzimeve të Sektorit të Shëndetësisë 2025”, ku evidentohen problematika serioze në financimin publik të sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Sipas raportit të publikuar nga BIRN, shpenzimet publike për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale gjatë vitit 2025 kanë arritur nivelin më të ulët të nëntë viteve të fundit.
Të dhënat tregojnë se shpenzimet faktike për shëndetësinë, përfshirë fondet e FDSKSH, arritën në 76.6 miliardë lekë, ose 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 9.6% të shpenzimeve publike totale.
Ekspertët e organizatës theksojnë se kjo rënie tregon një zhvendosje graduale të prioriteteve buxhetore drejt sektorëve të tjerë.
Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve shëndetësore për banor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me rreth 590 dollarë për banor.
Sipas analizës, ky financim i ulët ka bërë që qytetarët të përballojnë personalisht një pjesë shumë të madhe të kostove shëndetësore.
“Niveli i shpenzimeve nga xhepi mbetet shumë i lartë, rreth 48% në vitet 2022–2023”, theksohet në raport.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë rrit rrezikun e varfërimit të familjeve dhe thellon pabarazitë në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore, sidomos për grupet vulnerabël dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mungesën e financimit për shërbimin e kujdesit shëndetësor në banesë, i cili nuk është parashikuar fare në planifikimin buxhetor të programit të Kujdesit Shëndetësor Parësor.
Raporti kritikon gjithashtu mënyrën e financimit të kontratës së check-up-it, duke theksuar se pagesat vijojnë të kryhen sipas kontratës koncesionare edhe kur numri i pacientëve nuk përmbushet.
Sipas monitorimit, nga buxheti i shtetit janë paguar 35.3 milionë euro edhe pse mbi 19 mijë pacientë nuk janë paraqitur për të marrë shërbimin.
Në raport ngrihen pikëpyetje edhe për transparencën e ulët mbi përdorimin e fondeve publike dhe mungesën e informacionit mbi efektivitetin e investimeve në sektorin e shëndetësisë.
Gjithashtu, organizata evidenton mungesën pothuajse totale të raportimit gjinor nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pavarësisht detyrimeve ligjore në kuadër të Strategjisë së Barazisë Gjinore.
