Romir Saraçi: “Integrimi kërkon hetim dhe përgjegjësi penale për aferat e mëdha, pa ndëshkim të korrupsionit s’ka BE”

Data

Romir Saraçi ka komentuar ashpër raportin më të fundit të Bashkimi Europian për Shqipërinë, duke deklaruar se dokumenti përbën “pasqyrën reale” të problemeve me korrupsionin, zgjedhjet dhe pastrimin e parave në vend.

Gjatë një debati televiziv me gazetaren Sonila Meço, Saraçi u shpreh se Brukseli tashmë ka evidentuar qartë problematikat që, sipas tij, pengojnë integrimin europian të Shqipërisë.

Ai deklaroi se raporti i fundit i BE-së përmban sinjale të forta për nevojën e përgjegjësisë politike dhe penale në rastet e aferave të mëdha korruptive.

“Fatmirësisht Bashkimi Europian po kthen sytë edhe nga Ballkani. Ky është lajm i mirë për shqiptarët, sepse Shqipëria nuk mund të trajtohet më si pronë private e askujt”, u shpreh Saraçi.

Gazetari komentoi edhe referencat e raportit për çështjen e imunitetit të Belinda Balluku, duke pretenduar se mesazhi i institucioneve europiane është i lidhur me nevojën për hetim të plotë dhe pavarësi të drejtësisë.

“Në momentin që BE shpreh shqetësim për mosheqjen e imunitetit, mesazhi është i qartë: pa hetim dhe pa ndëshkim të korrupsionit nuk mund të ketë integrim real”, deklaroi ai.

Saraçi foli gjithashtu për problematikat që raporti evidenton në lidhje me zgjedhjet, administratën publike dhe pastrimin e parave.

Sipas tij, raporti tregon se Shqipëria vazhdon të ketë mangësi serioze në standardet demokratike dhe sundimin e ligjit.

“Raporti rendit shumë probleme që lidhen me zgjedhjet, patronazhimin politik dhe pastrimin e parave. Bashkimi Europian po thotë qartë se Shqipëria ende nuk është gati”, tha ai.

Në fund, Saraçi u bëri thirrje qytetarëve që ta shohin raportin si një reflektim mbi realitetin e vendit dhe të kërkojnë më shumë llogaridhënie nga politika.

“Qytetarët duhet të ngrenë stekën e reagimit dhe të kërkojnë përgjegjësi si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita”, përfundoi gazetari.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related