Kancelari gjerman Friedrich Merz u ka dërguar një letër liderëve të Bashkimit Evropian, ku kërkon përshpejtimin e procesit të zgjerimit për Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia.
Në dokumentin e tij, Merz thekson se zgjerimi i Bashkimi Evropian është tashmë një domosdoshmëri gjeopolitike, por pranon se procedurat aktuale janë tepër të ngadalta.
Për Ukrainën, kancelari gjerman propozon një model të ri “anëtarësie të asociuar”, si hap i ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë në BE. Sipas tij, procesi i integrimit të Kievit nuk mund të përfundojë në afat të shkurtër, por Bashkimi Evropian nuk duhet të humbasë më kohë.
“Është koha për të ecur përpara me guxim përmes zgjidhjeve inovative”, shkruan Merz në letrën drejtuar liderëve europianë.
Në të njëjtën kohë, ai kërkon që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin më shumë përfitime konkrete gjatë procesit të integrimit. Propozimi përfshin akses më të privilegjuar në tregun e përbashkët europian dhe përfshirje më të afërt në mekanizmat vendimmarrës të institucioneve europiane.
Merz argumenton se vendet e rajonit kanë pritur prej vitesh për anëtarësim dhe se BE duhet të japë sinjale më të forta politike për të ruajtur besueshmërinë e saj në rajon.
Kancelari gjerman shton se do të vijojë të punojë me partnerët europianë për të avancuar këtë model të ri integrimi gradual.
