Ina Zhupa akuza të forta në Kuvend: Saranda është kthyer në skenë krimi pas arrestimeve në komisariat

Data

Deputetja e Partia Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur akuza të forta në Kuvend lidhur me situatën e sigurisë në Sarandë, pas arrestimeve dhe shkarkimeve në kupolën drejtuese të komisariatit të policisë së qytetit.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare, Zhupa deklaroi se qyteti është kthyer në një “skenë krimi”, duke akuzuar qeverinë për mungesë reagimi ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit në strukturat vendore.

“I gjithë Kuvendi e njeh gjendjen e rëndë kriminale në Sarandë. U arrestua shefi i komisariatit dhe disa të tjerë të komisariatit, ndërsa ky Parlament dhe kjo qeveri bëjnë sikur nuk dinë asgjë”, tha ajo.

Deputetja demokrate iu referua edhe raportit të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas të cilit Saranda rezulton ndër zonat me nivelin më të lartë të kriminalitetit në vend.

Zhupa akuzoi gjithashtu strukturat lokale të policisë dhe institucionet bashkiake për bashkëpunim dhe neglizhencë ndaj paligjshmërive, duke përmendur edhe Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit.

Sipas saj, drejtues lokalë të institucioneve kanë qenë të përfshirë në afera ryshfeti dhe favorizim të ndërtimeve pa leje.

“Shkoi ministri dhe i mori në krah këta njerëz që ishin pjesë e grupit të strukturuar që merrnin ryshfete dhe e kanë kthyer Sarandën në skenë krimi”, deklaroi Zhupa.

Deklaratat vijnë pas operacioneve të fundit të autoriteteve ligjzbatuese në Sarandë, ku disa efektivë policie dhe drejtues vendorë u vunë nën hetim për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related