Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku kërkoi forcimin e masave kundër kriminalitetit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te policia.
Takimi vjen pas operacioneve të fundit ku u arrestuan efektivë dhe zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në paligjshmëri, përfshirë ndërtimet pa leje dhe shpërdorimin e detyrës.
Gjatë fjalës së tij, Hita kërkoi reflektim të menjëhershëm nga strukturat vendore të policisë dhe shtim të prezencës në terren.
“Forca e Posaçme ‘Shqiponja’ duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet”, deklaroi ai.
Hita dha porosi edhe për strukturat e Policisë Kufitare, sidomos në prag të sezonit turistik, duke kërkuar kontrolle më të forta ndaj mjeteve lundruese dhe goditje të trafiqeve të paligjshme.
Ai paralajmëroi gjithashtu masa të ashpra ndaj çdo punonjësi policie që bashkëpunon me grupet kriminale.
“Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të”, u shpreh drejtori i Policisë.
Sipas Hitës, strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj armëmbajtjes pa leje, trafikut të narkotikëve, kapjes së personave në kërkim dhe çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike.
