Ish-ambasadori shqiptar në OKB, Agim Nesho, ka komentuar deklaratat e kandidatit për ambasador të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Erick Wendt, duke i cilësuar ato si një sinjal të fortë të Uashingtonit ndaj qeverisë shqiptare.
Në një intervistë televizive, Nesho tha se fakti që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe narkotrafikut u vendos në krye të prioriteteve të ambasadorit të ri “nuk është rastësi”.
Sipas tij, përmendja e kartelit famëkeq Karteli Sinaloa dhe lidhjeve të tij në Shqipëri tregon se administrata amerikane e konsideron tashmë situatën si një çështje kritike sigurie kombëtare.
“Prioriteti i parë nuk ishte rastësi. Ishte lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe sidomos ambasadori përmendi lidhjet që ka në Shqipëri Sinaloa. Kjo tregon se çfarë përfaqëson regjimi i Edi Ramës në sytë e SHBA-së”, deklaroi Nesho.
Ai e interpretoi këtë si një paralajmërim të drejtpërdrejtë për qeverinë shqiptare dhe një tregues se Uashingtoni po ndjek një qasje më të ashpër ndaj zhvillimeve politike dhe kriminale në vend.
Sipas Neshos, profili i kandidatit amerikan tregon seriozitetin me të cilin SHBA po e trajton situatën në Shqipëri.
Ai theksoi se Wendt ka përvojë të gjatë ushtarake dhe diplomatike, përfshirë bashkëpunimin me forcat shqiptare në Afganistan dhe strukturat e NATO-s.
“Do të kemi një ambasador të fortë dhe të qartë në prioritetet e tij. Lufta kundër korrupsionit dhe karteleve, e përkthyer në gjuhë diplomatike, do të thotë fundi i një regjimi të kompromentuar”, u shpreh Nesho.
Ish-diplomati komentoi edhe ndryshimet në administratën amerikane, duke përmendur emërimin e një zyrtari të ri konservator në Departamentin e Shtetit, të cilin e lidhi me një qasje më kritike ndaj qeverive të majta europiane.
Nesho tha gjithashtu se informacioni mbi situatën në Shqipëri tashmë është bërë më i plotë për institucionet amerikane dhe se opozita shqiptare ka luajtur rol në sensibilizimin ndërkombëtar për zhvillimet politike në vend.
“Informacioni për atë që ndodh në Shqipëri është më i plotë. Kjo ka ndikuar në ndryshimin e qasjes së SHBA ndaj realitetit politik shqiptar”, përfundoi ai.
