Berisha sulmon Ramën pas intervistës në Estoni: Po sillet si aset i influencës ruse dhe po i jep këshilla Europës

Data

Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste të fundit në Estoni, ku sipas tij, Rama ka nisur “t’i japë këshilla Europës për Rusinë dhe luftën në Ukrainë”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Ramën se po sillet si “aset i influencës ruse”, ndërsa komentoi mënyrën se si kryeministri shqiptar i është referuar presidentit rus Vladimir Putin.

“Ka filluar t’i japë këshilla Europës për Rusinë. I drejtohej Putin-it si të ishte pjesë e administratës ruse”, deklaroi Berisha.

Ai ironizoi përdorimin nga Rama të emrit dhe patronimit të presidentit rus, duke pretenduar se kjo tregon afrim të tepruar me Kremlinin.

Sipas Berishës, kryeministri shqiptar është “i damkosur” nga akuzat për korrupsion dhe përpiqet t’i relativizojë ato duke iu referuar vlerësimeve të institucioneve europiane.

Kreu demokrat tha se opozita do të vijojë betejën politike kundër qeverisë, ndërsa akuzoi Ramën edhe për kontroll mbi mediat në vend.

“Ne kemi një problem madhor me mafien e fjalës së lirë të kontrolluar nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Deklaratat e liderit të opozitës vijnë në një moment tensionesh të forta politike në vend, ku debati mbi integrimin europian, korrupsionin dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë është kthyer në një nga temat kryesore të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related