Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar zhvillimet e fundit në Partia Demokratike, duke deklaruar se brenda kësaj force politike nuk ekziston më një garë reale dhe se situata është kthyer në një “dramë të demokracisë shqiptare”.
Sipas Topit, proceset që po zhvillohen aktualisht në PD lidhen më shumë me rikonfirmimin e Sali Berisha në krye të partisë sesa me një konkurrencë të mirëfilltë politike.
“Në PD nuk ka garë. Demokratët po e përjetojnë si dramë këtë gjendje në parti”, u shpreh ish-presidenti.
Ai shtoi se Partia Demokratike po kalon një fazë të rëndë politike dhe organizative, ndërsa strukturat e saj ndodhen sipas tij në “kuota minimale”.
Topi deklaroi gjithashtu se Berisha nuk arrin më të frymëzojë as mbështetësit e tij dhe se retorika politike e përdorur prej vitesh nuk ka më ndikim te qytetarët.
“Berisha nuk frymëzon më askënd. Janë ndërruar disa herë lidershipet në botë gjatë 35 viteve, ndërsa kjo situatë në PD është një rekord Guinness në aspekt negativ”, tha ai.
Ish-kreu i shtetit u shpreh se protestat e organizuara nga opozita nuk po bëhen për interesin e qytetarëve, por për të mbajtur të mobilizuar strukturat e partisë dhe për të krijuar jehonë ndërkombëtare.
Duke komentuar mungesën e figurave të reja në të djathtën shqiptare, Topi theksoi se emrat e rinj dalin vetëm kur ekzistojnë forume serioze dhe funksionale brenda partive politike.
Ai shtoi se si e djathta, ashtu edhe e majta shqiptare po përballen me varfërim të figurave politike dhe intelektuale në drejtimin e tyre.
