“Letrat e shkruara nga zyra e Ramës s’kanë asnjë vlerë”/ Berisha sulmon Salianjin pas letrës drejtuar Partive Popullore Europiane

Data

Kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar ndaj letrës që ish-deputeti Ervin Salianji u ka dërguar partive të qendrës së djathtë europiane, ku ngrinte shqetësime për procesin zgjedhor brenda Partisë Demokratike dhe përjashtimin e tij nga gara për kryetar.

Gjatë konferencës për mediat nga selia blu, Berisha deklaroi se Salianji është “i vetëpërjashtuar” nga partia dhe se ai është i lirë të dërgojë letra apo ankesa ku të dëshirojë, por sipas tij ato nuk kanë asnjë vlerë politike për Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike është anëtare e të gjitha atyre institucioneve dhe ai që shkruan letra është i përjashtuar nga kjo parti. Ai është i lirë të shkruajë letra dhe të ndjekë rrugët statutore, por zgjodhi vetë vetëpërjashtimin”, u shpreh Berisha.

Më tej, lideri demokrat hodhi akuza ndaj Salianjit, duke pretenduar se letra e tij është hartuar nga “zyra e Ramës apo ndonjë tjetër”, duke e lidhur kështu me mazhorancën socialiste.

“Letrat e shkruara nga zyra e Ramës nuk kanë asnjë vlerë për mua”, deklaroi Berisha.

Reagimi i kreut të PD vjen pasi Salianji iu drejtua partive të djathta europiane, duke denoncuar atë që ai e cilësoi si bllokim të garës për kryetar të Partisë Demokratike, mungesë transparence dhe shkelje të standardeve demokratike brenda forcës politike opozitare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related