Eksperti zgjedhor Andon Kume ka komentuar debatet mbi reformën e re zgjedhore, duke paralajmëruar se partitë e vogla politike rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit nëse ruhet pragu elektoral prej 4 për qind.
I ftuar në një studio televizive, Kume deklaroi se konfigurimi aktual favorizon forcat e mëdha politike dhe mund të çojë në eliminimin pothuajse total të partive të vogla parlamentare dhe jashtëparlamentare.
“Partitë e vogla, këto që janë sot, me pragun 4% rrezikojnë pothuajse të gjitha të zhduken. Rrezikojnë të mos kenë asnjë vend në parlament”, u shpreh ai.
Sipas ekspertit, skepticizmi i këtyre forcave ndaj reformave të hartuara nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë është i justifikuar, pasi historikisht ndryshimet zgjedhore janë bërë kryesisht në funksion të interesave të dy partive të mëdha.
“Historia ka treguar se reformat zgjedhore në Shqipëri janë bërë si produkt bipartizan i PS-së dhe PD-së dhe kryesisht për interesat e tyre”, deklaroi Kume.
Ai u ndal edhe te propozimi i lëvizjes Shqipëria Bëhet, e drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, e cila kërkon kalimin në një sistem proporcional kombëtar të pastër.
Sipas Kumes, ky model do të garantonte përfaqësim më të drejtë të votës së qytetarëve dhe do të shmangte deformimin e rezultatit elektoral.
“Proporcionali i pastër përkthen më drejt votat në mandate. Nuk do të ndodhte që një parti me 48% të votave të marrë mbi 50% të vendeve në parlament”, theksoi ai.
Megjithatë, eksperti argumentoi se edhe në një sistem proporcional kombëtar duhet të ekzistojë një prag elektoral për të shmangur fragmentarizimin ekstrem të Kuvendit dhe vështirësitë në krijimin e qeverive stabile.
“Po të mos kishte prag zgjedhor, parlamenti do të fragmentarizohej shumë dhe edhe grupe shumë të vogla apo individë me ndikim lokal do të arrinin të futeshin në Kuvend”, përfundoi Andon Kume.
