Juristi dhe politikani Enkelejd Alibeaj ka shprehur kritika të forta ndaj klasës politike shqiptare, duke e akuzuar atë si përgjegjësen kryesore për ngadalësimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
I ftuar në një emision televiziv, Alibeaj deklaroi se vendi ka humbur disa mundësi të rëndësishme për t’u afruar me Bashkimin Europian, për shkak të konflikteve dhe mungesës së bashkëpunimit politik.
“Ky vend ka plot vështirësi dhe deficenca, shumica vijnë nga ajo që lidhet me politikën. Ka qenë shumë herë afër hapave për integrimin, por gjithmonë ka dalë diçka nga politika që e ka penguar procesin”, u shpreh ai.
Sipas Alibeajt, në fillimet e procesit të integrimit Shqipëria konsiderohej një nga vendet më të avancuara të rajonit, së bashku me Kroacinë, por më pas humbi ritmin dhe mbeti pas vendeve të tjera të Ballkanit.
“Në fillimet e procesit të integrimit, Shqipëria ka qenë në krye të listës bashkë me Kroacinë. Sot jemi në një pozicion më të vështirë dhe kemi mbetur pas edhe vendeve të tjera të rajonit”, tha Alibeaj.
Ai shtoi se në momentet më të rëndësishme për vendin, mungesa e konsensusit dhe përplasjet politike kanë ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin ose ngadalësimin e rrugës europiane të Shqipërisë.
