Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një tjetër paralajmërim të fortë ndaj Iranit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen.
Përmes një reagimi në platformën Truth Social, Trump deklaroi se Teherani duhet të veprojë menjëherë për të shmangur pasoja të rënda.
“Ora po ecën dhe ata duhet të veprojnë shpejt, përndryshe nuk do të mbetet asgjë prej tyre”, shkroi presidenti amerikan, duke shtuar se “koha është esenciale”.
Pak më herët, Trump kishte publikuar edhe një fotografi me mbishkrimin “Qetësia para stuhisë”, një postim që është interpretuar si sinjal për zhvillime të mundshme ushtarake.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur raportet mediatike flasin për përgatitje intensive nga ana e SHBA-së dhe Izraelit për rifillimin e sulmeve kundër Iranit, pas armëpushimit të arritur muajin e kaluar.
Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se do të reagojnë fuqishëm ndaj çdo sulmi të ri, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë në rajon.
