Ilir Alimehmeti komenton garën për kreun e PD: Do të ishte më interesante me një kandidat tjetër përballë Sali Berisha

Data

Anëtari i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka komentuar procesin zgjedhor për kreun e PD-së, duke deklaruar se gara do të kishte qenë më interesante nëse përballë Sali Berisha do të kishte një kandidat tjetër.

Në një intervistë televizive, Alimehmeti u shpreh se fakti që në garë ndodhet vetëm Berisha e kthen procesin më shumë në një rikonfirmim sesa në një zgjedhje reale mes alternativash.

“Kur është vetëm një kandidat, është rikonfirmim. Se s’ka si të jetë ndryshe. Një garë do të kishte qenë më interesante”, deklaroi ai.

Sipas Ilir Alimehmeti, zgjedhjet për kryetarin e opozitës janë një proces që i takon anëtarësisë së partisë dhe jo elektoratit të gjerë, duke theksuar se sistemi “një anëtar, një votë” është aktualisht modeli i përcaktuar në statut, edhe pse sipas tij nuk është një sistem perfekt.

Ai shtoi se brenda PD-së ekziston mendim ndryshe dhe se mund të kishte edhe votime të ndryshme nëse do të kishte më shumë kandidatura.

“Ka dhe mendim ndryshe në anëtarësi. Mund të kishte dhe votë në një masë ndryshe. Por nuk kam pasur dyshim që nuk do të konfirmohej Berisha në krye të PD”, u shpreh Alimehmeti.

Ai theksoi gjithashtu se në Parti Demokratike ka figura të tjera që mund të kontribuojnë në ndërtimin e një alternative politike më konkurruese, duke përmendur edhe drejtues lokalë apo eksponentë të tjerë të partisë.

Megjithatë, Alimehmeti deklaroi se vetë nuk ka ambicie për të kandiduar për drejtimin e Partisë Demokratike, pasi fokusi i tij politik mbetet Bashkia e Tiranës.

“Nuk e kam këtë ambicie. Kam tjetër objektiv, e kam treguar qartë me vite. Objektivi im ka qenë i drejtuar drejt Tiranës”, tha ai.

Deklaratat e Ilir Alimehmeti vijnë në një moment kur brenda PD-së po zhvillohen diskutime mbi të ardhmen e lidershipit dhe mënyrën e organizimit të opozitës pas zgjedhjeve parlamentare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related