Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK lidhur me përplasjen me armë të ndodhur në gusht 2024 në fshatin Rranxë, ku objektiv i atentatit dyshohet se ishte Aleksandër Prendi.
Sipas komunikimeve të administruara nga hetuesit, persona të afërt me familjen Prendi dyshonin se anëtarët e grupit Bajri kishin survejuar zonën dhe kishin studiuar lëvizjet e tyre që një natë para ngjarjes.
Në bisedat e zbardhura nga dosja, një person me pseudonimin “Cavalli”, që dyshohet të jetë Andrea Prendi, komunikon me Arsen Ceni për lëvizjet e dyshimta pranë banesës së familjes në Rranxë.
Sipas dosjes, “Cavalli” tregon se kishte kontrolluar kamerat e sigurisë dhe kishte parë lëvizje gjatë natës, pas kontrolleve të policisë në zonë. Ndërkohë, Arsen Ceni i përgjigjet se informacionin e kishte marrë edhe nga “Kapedani”, pseudonim që hetuesit dyshojnë se i referohet Pjetër Prendi.
Në komunikime përmendet edhe “Noizy”, pseudonim që sipas hetimeve i referohet Gëzim Prendi, babait të Aleksandër, Andrea dhe Pjetër Prendit.
Dosja tregon gjithashtu shqetësimin e familjarëve për kamerat e sigurisë në zonë, nga frika se mund të kishin filmuar automjetin tip BMW që përdorej nga Aleksandër Prendi ditën e përplasjes me armë.
Në një tjetër bisedë, Arsen Ceni i thotë “Cavallit” se personat me automjete të blinduara që kishin shkuar në zonë mund të kenë qenë aty që një natë më parë për të identifikuar banesën e vëllezërve Prendi.
“Edhe atë ditë kishin pyetur për ty dhe Kapedanin”, thuhet në një nga mesazhet e administruara nga hetuesit.
Gjithashtu, në komunikime del edhe shqetësimi për fshehjen e sendeve pas ngjarjes së 23 gushtit 2024, ku “Cavalli” pyet Arsen Cenin nëse “janë larg ato që ke fshehur”, ndërsa ky i fundit përgjigjet se i kishte fshehur “te toka e Agimit në ferra”.
Ngjarja e ndodhur në Bushat është pjesë e hetimeve të gjera të SPAK për konfliktet dhe aktivitetin e grupeve kriminale në zonën e Shkodër.
