Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendi ka bërë progres të dukshëm në vitet e fundit dhe kërkoi nga Bashkimi Europian avancimin e statusit të kandidatit për Kosovën.
Në një konferencë për media pas takimit me komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, Kurti tha se gjatë bisedimeve janë diskutuar zhvillimet pozitive dhe perspektiva europiane e vendit.
“Me komisioneren Kos kemi ndarë progresin që ka bërë Kosova në vitin e fundit. Në gjashtë vitet e fundit kemi avancuar për 28 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Jemi të tretët në mesin e 15 shteteve të Evropës Juglindore”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se ekonomia e Kosovës ka pasur rritje të qëndrueshme dhe se vendi vijon të ndajë vlerat e Bashkimit Europian.
Sipas Kurtit, Kosova ka qenë në linjë me politikën europiane edhe për sa i përket luftës në Ukrainë, duke dënuar agresionin rus dhe duke mbështetur Ukrainën.
Kryeministri pranoi gjithashtu se disa reforma janë vonuar për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional gjatë vitit të kaluar.
“Në vitet e fundit Kosova ka avancuar në shumë kapituj dhe ka shënuar përparim të qëndrueshëm e të vazhdueshëm”, tha ai.
Kurti përmendi edhe raportin e Këshilli i Evropës për anëtarësimin e Kosovës, ku sipas tij vlerësohet se kuadri ligjor i vendit tejkalon standardet europiane në disa fusha.
Në fund, ai kërkoi që Bashkimi Europian të ndërmarrë hapa konkretë për statusin kandidat të Kosovës.
“Janë bërë 40 muaj që kur kemi aplikuar për statusin e kandidatit dhe kjo duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për anëtarësimin në BE qëndron rreth 90 për qind në vendin tonë”, u shpreh Kurti.
