Projekti strategjik Durrës Marina është përfshirë në debate dhe akuza politike pas raportimeve për problematika strukturore në disa prej objekteve që po ndërtohen në zonën e Portit të Durrësit.
Sipas të dhënave financiare të publikuara nga kompania administruese “Durrës Marina sh.a.”, projekti ka arkëtuar rreth 4.17 miliardë lekë, ose afërsisht 42 milionë euro, nga parapagimet e klientëve për apartamente të shitura në fazë ndërtimi gjatë viteve 2023–2024.
Në bilancin financiar të kompanisë thuhet se këto pagesa përfaqësojnë detyrime kontraktuale ndaj klientëve dhe se të ardhurat do të njihen pas dorëzimit të njësive të banimit.
Projekti zhvillohet nga kompania Eagle Hills Real Estate Development e biznesmenit Mohamed Alabbar, në partneritet me kompaninë shqiptare “Albanian Seaports Development Company”.
Në dokumentacionin financiar kompania pranon gjithashtu ekzistencën e problematikave mjedisore në zonën ku po zhvillohet projekti, duke përmendur ndotje të tokës dhe ujit, si dhe nevojën për ndërhyrje inxhinierike për stabilizimin e terrenit.
Debati u intensifikua pas publikimit të raportimeve mbi ulje strukturore në disa objekte të ndërtuara. Sipas deklaratës së IKMT, gjatë verifikimeve janë konstatuar ulje në dy objekte të projektit.
Referuar raportit teknik të përmendur nga institucionet:
- Objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm;
- Objekti 04 ka pësuar ulje prej 18 cm.
Më herët, emisioni investigativ “Piranjat” kishte raportuar për diferenca më të mëdha në terren, duke pretenduar ulje deri në 74 cm në disa segmente të projektit.
Pas publikimit të këtyre të dhënave, disa qytetarë që kishin prenotuar apartamente në kompleks raportohet se janë paraqitur pranë zyrave të shitjes për të kërkuar anulimin ose rishikimin e kontratave të tyre.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka reaguar duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve dhe nisjen e një hetimi nga SPAK dhe KLSH.
Deputeti Igli Cara deklaroi se projekti përbën “një rrezik serioz për sigurinë publike”, ndërsa ngriti pyetje mbi studimet gjeologjike, sizmike dhe procedurat e ndjekura për miratimin e lejeve të ndërtimit.
Sipas opozitës, duhet të kryhet një ekspertizë e plotë tekniko-inxhinierike dhe të verifikohet nëse janë respektuar standardet e ndërtimit dhe projektimit.
Projekti “Durrës Marina” është shpallur investim strategjik me afat 20-vjeçar dhe parashikon ndërtimin e mijëra apartamenteve, strukturave hoteliere dhe një marine jahtesh në territorin aktual të Portit të Durrësit.
