Mirlinda Karçanaj ka komentuar raportin e saj me Endri Agasi dhe hetimet që lidhen me procedurat e prokurimeve në institucionin që ajo ka drejtuar.
Në një deklaratë publike, Karçanaj tha se në funksionet publike kontaktet institucionale janë të domosdoshme për realizimin e punës dhe nuk mund të konsiderohen automatikisht si përgjegjësi penale.
“Në funksione publike është e domosdoshme të kesh kontakte, sepse në të kundërt nuk bëhet puna. Por kontaktet nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi penale”, deklaroi ajo.
Karçanaj theksoi se vlerësimi për ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale i takon vetëm organit të akuzës.
“Mund të ketë faj, nuk më takon mua ta them këtë. I takon akuzës të hetojë duke analizuar provat dhe dokumentat dhe më pas të dalë në përfundime”, u shpreh ish-drejtoresha e AKSHI.
Ajo shtoi se gjatë drejtimit të institucionit ka pasur si prioritet respektimin e ligjit dhe procedurave.
“Mënyra si e kam drejtuar institucionin ka qenë qartësisht e orientuar që të zbatohet ligji, të mos shkelet asnjë procedurë dhe gjithçka të jetë konform ligjit”, deklaroi Karçanaj.
Sa i përket procedurave të prokurimeve, ajo tha se kishte deleguar kompetencat dhe nuk ishte përfshirë në ndjekjen e përditshme të tyre.
“Madje kam deleguar rolin e titullarit të prokurimeve. Nuk i kam ndjekur prokurimet”, përfundoi ajo.
