Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe brenda radhëve të socialistëve.
Deputeti socialist Ulsi Manja mori fjalën pas afro dy orësh diskutimesh për draft-rezolutën mbi integrimin europian, por në nisje të fjalës së tij iu rikthye debatit të mëparshëm me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
Manja ironizoi Peleshin për reagimin e tij ndaj mënyrës konfidenciale me të cilën iu drejtua më herët gjatë seancës, kur e thirri “Niko”, gjë që solli edhe ndërhyrjen e kryeparlamentarit.
“Zoti Kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’ju përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të të kërkoja dhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke. Preferove që në vend të ndjesës publike time, të dominojë cinizmi yt me mikrofon,” deklaroi Manja nga foltorja.
Ai shtoi se fuqia e ndjesës është më e fortë se ironia publike dhe theksoi se e njeh mirë rregulloren e Kuvendit.
“Dua të të kërkoj që fuqia e ndjesës edhe pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në raport me kolegët në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit,” tha ai.
Nga ana tjetër, Niko Peleshi iu përgjigj shkurt deputetit socialist, duke ruajtur tonin institucional.
“Mua nuk më lejohet të përgjigjem, sipas rregullores së Kuvendit, por fjalët tuaja do t’i studioj, mund të ndryshoj opinion, por jo sjellje,” u shpreh Peleshi.
Debati mes dy socialistëve u prit me reagime dhe komente në sallë, ndërsa opozita më herët kishte duartrokitur ndërhyrjen e Peleshit ndaj Manjës.
