Artan Tafani rrëfen në GJKKO detaje për tritolin ndaj biznesit të Noizy: “Laert Haxhiu kishte maskë plastike dhe paruke, jetonim nën terror”

Data

I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka vijuar dëshminë e tij në GJKKO, duke zbuluar detaje të reja mbi atentatin me tritol ndaj biznesit të reperit Noizy.

Sipas Tafanit, pas vendosjes së eksplozivit grupi është zhvendosur në Ksamil, ku, sipas tij, Laert Haxhiu ka komunikuar me Kleviol Ahmeti dhe ka pohuar se ishte ai që kishte urdhëruar sulmin ndaj Noizyt.

“Pas disa kohësh ikëm në Ksamil. Aty ka folur Laerti me Kleviolin në telefon. Si ka treguar që ia ka vënë ai tritolin Noizyt,” dëshmoi Tafani.

Ai tregoi gjithashtu se grupi përdorte maskime dhe armë për atentatet që planifikoheshin. Sipas dëshmisë, Haxhiu kishte siguruar një maskë plastike dhe një paruke bjonde, ndërsa Tafani ishte veshur si grua për të kryer një tjetër atentat të planifikuar në zonën e Çermës së Lushnjës.

“Laerti kishte maskë plastike, një paruke bjonde. Do vishesha unë si femër me fustan të gjatë. Vendosa maskën dhe më lyeu e dashura e Laertit,” tha ai.

Në dëshminë e tij, Tafani përshkroi edhe atmosferën e frikës brenda grupit kriminal, duke deklaruar se të gjithë jetonin nën terrorin e Haxhiut.

“Ai ishte njeri i frikshëm, jetonim në terror. Na shante, na rrihte, edhe mund të na vriste,” u shpreh Tafani para trupës gjykuese.

Ai rrëfeu se gjatë tentativës për ekzekutimin e një personi të identifikuar si Rexhep Gina, kishte hezituar për shkak të gjendjes emocionale dhe frikës që ndiente.

“Isha i mërzitur, po mendoja si t’i thoja mos ta bëja. Dukesha si i çmendur, isha lyer si klloun,” dëshmoi ai.

Në vijim të dëshmisë, Tafani foli edhe për raste të tjera të aktivitetit kriminal të grupit, përfshirë vendosjen e gjobave ndaj biznesmenëve në zonën e Lushnjës.

Sipas tij, një biznesmeni me emrin Enea iu kërkua një shumë prej 1 milion eurosh nga grupi i drejtuar nga Haxhiu.

“Ne i morëm atë ditë 120 milion lekë. Në total atij biznesmeni ia kemi marrë 360 mijë euro,” deklaroi Tafani.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related