I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë dëshmi të detajuara në gjykatë lidhur me vendosjen e tritolit në biznesin e reperit Noizy në Durrës.
Sipas Tafanit, ngjarja lidhej me konfliktin mes Kleviol Ahmeti dhe Noizyt, konflikt që kishte nisur fillimisht në rrjetin social TikTok dhe më pas ishte përshkallëzuar fizikisht në Durrës.
“Ka ndodhur ato ditë një sherr, është zënë Kleviol Ahmetaj me Noizyn. Fillimisht në TikTok, pastaj fizikisht në Durrës janë goditur,” deklaroi Tafani në sallën e gjyqit.
Ai tha se Laert Haxhiu kishte lidhje familjare dhe shoqërore me Kleviol Ahmetin dhe se ishte ndier i fyer nga mënyra si ishte dhunuar ai.
“Nuk i erdhi mirë Laertit që e rrahën Kleviolin në atë mënyrë,” dëshmoi Tafani.
Sipas tij, pas telefonatave nga familjarët e Ahmetit, Haxhiu kishte urdhëruar hakmarrjen ndaj biznesit të Noizyt.
“Çohuni tha, shkoni vijini tritol,” deklaroi Tafani, duke shtuar se lënda plasëse mbahej në shtëpi dhe ishte rreth një kilogram.
I penduari i drejtësisë tregoi gjithashtu detaje mbi organizimin e atentatit, duke përfshirë ndryshimin e targave të automjetit dhe lëvizjet drejt biznesit në Durrës.
Ai tha se kishte shkuar në vendngjarje bashkë me Lulzim Spahinë, ndërsa komunikonin vazhdimisht me Laert Haxhiun.
“E ndeza fitilin dhe ika tek makina. Pasi ikëm disa metra dëgjuam shpërthimin,” deklaroi Tafani.
Sipas dëshmisë së tij, pas shpërthimit ata kishin njoftuar menjëherë Haxhiun për realizimin e atentatit dhe më pas ishin kthyer në banesë.
Dëshmia e Tafanit konsiderohet një nga elementët kyç në procesin gjyqësor ndaj grupit kriminal të drejtuar, sipas akuzës, nga Laert Haxhiu.
