Xi Jinping ka paralajmëruar homologun amerikan Donald Trump se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së mund të përshkallëzohen në konflikt nëse Uashingtoni nuk e trajton me kujdes çështjen e Tajvanit.
Sipas mediave shtetërore kineze, Xi e cilësoi Tajvanin si çështjen më të ndjeshme në marrëdhëniet mes dy fuqive gjatë takimit me dyer të mbyllura në Pekin, i cili zgjati rreth dy orë.
Presidenti kinez theksoi se stabiliteti i marrëdhënieve kino-amerikane varet nga mënyra se si trajtohet kjo çështje.
“Nëse menaxhohet siç duhet, marrëdhëniet mund të mbeten të qëndrueshme. Në të kundërt, mund të sjellë përplasje dhe tensione serioze”, mësohet të ketë deklaruar Xi.
Takimi u zhvillua në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, ku dy liderët diskutuan për tregtinë, sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe në një moment tensionesh të shtuara globale.
Pas bisedimeve, Trump dhe Xi vizituan së bashku Tempulli i Qiellit, një prej monumenteve më të rëndësishme historike dhe kulturore të Kinës.
Gjatë vizitës, Trump u shpreh para mediave se “Kina është e bukur”.
Tempulli i Qiellit ka një simbolikë të veçantë në historinë diplomatike kino-amerikane, pasi aty kishte qëndruar fshehurazi diplomati amerikan Henry Kissinger gjatë misionit të tij historik në vitin 1971, që hapi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve mes Pekinit dhe Uashingtonit.
