Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se rruga drejt Bashkimi Europian nuk duhet parë thjesht si një proces teknik negociatash, por si një provë për funksionimin e demokracisë dhe institucioneve në vend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se gjatë një takimi me një delegacion suedez është diskutuar mbi sfidat që përballin vendet kandidate në procesin e integrimit.
Sipas saj, një nga rreziqet kryesore është që procesi i integrimit të reduktohet në një mekanizëm ekskluzivisht teknik dhe të kontrolluar vetëm nga ekzekutivi.
“Europa ka mësuar se ligjet kanë rëndësi vetëm kur mbështeten nga institucione të forta, transparencë dhe kontroll demokratik”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokratike theksoi gjithashtu se parlamentet duhet të kenë rol aktiv në procesin e reformave dhe jo të mbeten spektatore të tyre.
Ajo solli si shembull përvojën suedeze, duke nënvizuar se integrimi i qëndrueshëm ndërtohet mbi kulturë demokratike, konsensus institucional dhe besim qytetar.
Për Shqipërinë, sipas Tabakut, integrimi europian mbetet një projekt transformues për shtetin, ekonominë dhe demokracinë.
“Në fund, suksesi i zgjerimit nuk do të matet vetëm nga kapitujt e negociatave, por nga forca e institucioneve demokratike dhe aftësia e qytetarëve për t’u ndjerë të përfaqësuar në këtë proces”, shkroi ajo.
