Rheinmetall dhe Deutsche Telekom kanë njoftuar një partneritet strategjik për zhvillimin e një sistemi të avancuar mbrojtës kundër dronëve, me synim mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës kritike në Gjermani.
Në një deklaratë të përbashkët, dy kompanitë theksuan se projekti synon të adresojë “skenarë kompleksë kërcënimi”, përfshirë sulme të mundshme me dronë ndaj objekteve strategjike dhe rrjeteve jetike.
Drejtori ekzekutiv i Rheinmetall, Armin Papperger, deklaroi se kërcënimi nga dronët po bëhet gjithnjë e më shumë “digjital”, ndaj edhe mbrojtja efektive kërkon integrimin e sensorëve, sistemeve mbrojtëse dhe rrjeteve të sigurta të komunikimit.
“Kjo është arsyeja pse mbrojtja efektive kërkon një kombinim të sensorëve, mjeteve mbrojtëse dhe rrjeteve të sigurta të komunikimit”, u shpreh ai.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Deutsche Telekom, Tim Hoettges, tha se projekti do të mbështetet te rrjetet moderne të komunikimit dhe analiza e avancuar e të dhënave.
Sipas kompanive, gjithnjë e më shumë dronë kontrollohen përmes rrjeteve celulare, çka krijon mundësi që vetë rrjeti mobil të përdoret si një lloj “radari digjital”.
Sistemi pritet të identifikojë modele të pazakonta të trafikut të të dhënave që mund të sinjalizojnë praninë dhe komandimin e dronëve, duke ndihmuar autoritetet të zbulojnë shpejt operatorët dhe të ndërhyjnë në zona sensitive apo me kufizime fluturimi.
Nisma vjen në një kohë kur shumë vende europiane po shtojnë investimet në mbrojtjen kundër dronëve, për shkak të përdorimit gjithnjë e më të gjerë të tyre në konflikte ushtarake, sabotime dhe kërcënime ndaj infrastrukturës kritike.
