Ervin Salianji: “Nesër do të depozitoj shkresë në PD për të kërkuar vendimin e përjashtimit tim”

Data

Ervin Salianji ka deklaruar se do t’i drejtohet zyrtarisht Partia Demokratike e Shqipërisë për të kërkuar informacion mbi procedurat dhe arsyet e përjashtimit të tij nga gara për kreun e partisë.

I ftuar në një studio televizive, Salianji tha se do të depozitojë një shkresë zyrtare në selinë blu.

“Nesër do të depozitoj shkresë në parti dhe do të kërkoj kush është vendimi i përjashtimit, cilat janë arsyet dhe kur është marrë kjo vendimmarrje”, u shpreh ai.

Salianji ishte një nga pesë demokratët që synuan të kandidonin për drejtimin e PD-së, por kandidatura e tij nuk u pranua. Më herët, Sali Berisha ka deklaruar se ish-deputeti është “vetëpërjashtuar” nga partia, duke e akuzuar për shkelje të “vijës së kuqe” për shkak të takimeve me demokratët e bazës.

Nga ana e tij, Salianji e cilësoi aktivitetin e tij politik si një lëvizje të brendshme në PD, duke mbrojtur takimet me anëtarët dhe mbështetësit demokratë.

“Takimi me njerëz është një prej formave më të rëndësishme për të zhvilluar politikë, debat publik dhe për të paraqitur alternativa”, deklaroi ai.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, po funksionon gara për drejtimin e partisë.

“A keni parë garë që një kandidat përjashton kandidatët e tjerë, cakton komisionin vetë, listat vetë dhe përdor burimet financiare vetë?”, tha Salianji.

Ish-deputeti akuzoi drejtpërdrejt Sali Berisha për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke ngritur pyetjen: “Kush i bëri listat, kush e bëri programin?”

Salianji shtoi se, sipas tij, Berisha është i padëshirueshëm për një pjesë të madhe të demokratëve, ndërsa e quajti “të turpshme” që kreu aktual i PD-së, sipas tij, nuk arrin të mobilizojë më shumë mbështetje sesa një ish-deputet i partisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related