Një mbledhje e tensionuar e Këshilli i Lartë i Prokurorisë është shoqëruar me debate të forta dhe akuza personale mes anëtarëve të institucionit, gjatë diskutimeve për procedurat e vendeve vakante në KLP.
Në qendër të përplasjes ishte anëtari Sokol Stojani dhe kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani, të cilët debatuan lidhur me kërkesën për rikthimin në rishqyrtim të një vendimi që kishte të bënte me dërgimin në Kuvend të vendeve vakante.
Sipas diskutimeve të bëra publike nga audioja e mbledhjes, që raportohet të ketë zgjatur mbi shtatë orë, tensionet u përshkallëzuan deri në përdorimin e toneve të ashpra dhe fjalorit personal.
Gjatë debatit, Stojani kundërshtoi procedurën e ndjekur nga kryetarja e KLP-së, duke pretenduar se rikthimi për diskutim i një vendimi të marrë ishte në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e institucionit.
Nga ana tjetër, Bogdani mbrojti të drejtën për ta rikthyer çështjen në diskutim, duke argumentuar se ishte pjesë e kompetencave të saj procedurale.
Në kulmin e debatit, diskutimi degradoi në replika personale, ku dëgjohen shprehje si “Po je çmendur moj”, apo “Nuk merrem dot me njerëz me jetë të konsumuar”, duke nxitur reagime edhe mbi standardin etik të komunikimit brenda institucionit.
Stojani paralajmëroi gjithashtu kallëzim për shpërdorim detyre ndaj kryetares së KLP-së, ndërsa mbledhja u mbyll pa një vendimmarrje përfundimtare për çështjen në diskutim.
Debati në KLP vjen në një moment kur institucionet e drejtësisë në Shqipëri janë nën vëmendje të shtuar publike dhe ndërkombëtare për funksionimin e reformës në drejtësi dhe proceset e brendshme institucionale.
