Aranita Brahaj: Shqipëria injektoi vetëm 4.9% të PBB-së në prokurime publike, tenderët po zëvendësohen me kontrata speciale

Data

Ekspertja e prokurimeve publike Aranita Brahaj ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si po funksionon sistemi i tenderave publikë në Shqipëri, duke deklaruar se investimet reale të shtetit në ekonomi përmes prokurimeve kanë rënë ndjeshëm.

E ftuar në një studio televizive, Brahaj tha se nëse përjashtohen tenderat e anuluar, shteti shqiptar ka injektuar në prokurime publike vetëm 4.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2023.

“Jo 10% siç raportohet zyrtarisht, por vetëm 4.9% e GDP-së nëse hiqen anulimet”, u shpreh ajo.

Sipas Brahajt, një nga mekanizmat që ka kufizuar konkurrencën është ndarja e kontratave të mëdha në lote të vogla, çka dekurajon kompanitë e huaja të marrin pjesë në tendera.

Ajo argumentoi se kompani ndërkombëtare nga Greqia, Italia apo Britania nuk kanë interes të investojnë për segmente të vogla pune, pasi kostot operative dhe logjistike janë të larta.

Ekspertja deklaroi gjithashtu se pas presionit të ushtruar nga SPAK mbi tenderat publikë në vitet 2021–2023, korrupsioni nuk është zhdukur, por është zhvendosur në forma të tjera.

“Kalojmë nga korrupsioni në prokurim publik tek korrupsioni me legjislacion ose me VKM”, tha Brahaj.

Sipas saj, shumë kontrata tashmë po jepen përmes akteve nënligjore apo strukturave të posaçme si Korporata Shqiptare e Investimeve, duke anashkaluar procedurat standarde të prokurimit.

Brahaj kritikoi edhe mënyrën se si raportohen statistikat për tenderat, duke theksuar se Bashkimi Europian nuk i konsideron si garë rastet kur vetëm një ofertë mbetet e vlefshme pas skualifikimeve të tjera.

Ajo shtoi se procesi i integrimit europian po sjell një monitorim më të fortë nga ekspertët dhe institucionet europiane mbi standardet e prokurimeve publike në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related