Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas një analize të publikuar nga media amerikane “Washington Examiner”, ku ngrihen shqetësime mbi ndikimin e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri.
Në një postim publik, Noka akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e kthen Shqipërinë në një “narkoshtet”, ndërsa theksoi se vendi po vihet gjithnjë e më shumë në fokusin ndërkombëtar për çështje që lidhen me kriminalitetin dhe pastrimin e parave.
Sipas Nokës, analiza e publikuar nga Michael Rubin në “Washington Examiner” përshkruan Shqipërinë si një qendër të rëndësishme të trafikut të narkotikëve në Europë.
Në artikull thuhet se legalizimi i kultivimit të kanabisit ka krijuar terren për pastrimin e parave të drogës, ndërsa Shqipëria po shndërrohet në një nyje të trafikut të heroinës, kokainës dhe metamfetaminave.
Po ashtu, në analizë përmenden edhe marrëdhëniet e Ramës me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, duke pretenduar se modeli i qeverisjes së ndjekur nga kryeministri shqiptar është i ngjashëm me atë të Turqisë.
Artikulli ngre gjithashtu akuza për përdorimin politik të institucioneve të drejtësisë dhe për ndikim të krimit të organizuar në ekonomi e zhvillim urban.
“Washington Examiner” paralajmëron se situata në Shqipëri mund të ketë pasoja më të gjera për rajonin dhe Europën, duke e cilësuar zhvillimin e kriminalitetit dhe ekonomisë së drogës si një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin.
