Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar qeverinë se po përdor procesin e integrimit europian për propagandë politike dhe për të sulmuar opozitën, ndërsa sipas tij mungon transparenca reale për qytetarët.
Në një reagim pas seancës së zhvilluar në Komisionin për Politikën e Jashtme, Këlliçi tha se mbledhja nuk i shërbeu procesit të integrimit, por “propagandës dhe shpifjeve ndaj opozitës”.
“Seanca e sotme në Komisionin e Jashtëm shërbeu për të kuptuar të vërtetën e qeverisë lidhur me integrimin, e cila bazohet në dy elemente: propagandë dhe sulm e shpifje ndaj opozitës”, deklaroi ai.
Sipas deputetit demokrat, qeveria po fsheh të vërtetën mbi vonesat në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, veçanërisht për grup-kapitullin që lidhet me shtetin ligjor.
“Publiku dhe qytetarët nuk mësojnë të vërtetën që duhet të dinë. Pse po shtyhet pa fund miratimi i grup kapitullit të parë që ka të bëjë me shtetin ligjor?”, u shpreh Këlliçi.
Ai pretendoi se vonesat në Bruksel nisën pas vendimeve të maxhorancës në Kuvend më 12 mars, të cilat sipas tij u përdorën për të mbrojtur aferat korruptive të qeverisë dhe të ministres Belinda Balluku.
“Kjo shtyrje vendimi në Bruksel nisi pikërisht kur me 82 kartona në Kuvend, Edi Rama vendosi të mbrojë aferat e tij e të Belind Ballukut para drejtësisë”, tha deputeti i PD-së.
Këlliçi akuzoi gjithashtu kryenegociatoren Majlinda Dhuka se nuk dha llogari reale gjatë raportimit në komision dhe se i shtoi më shumë propagandë procesit të integrimit.
“Me seancën sot, kryenegociatorja i shtoi më shumë propagandë procesit dhe nuk solli as transparencë, as mbajtje përgjegjësie, as respektim të interesit publik”, deklaroi ai.
Në përfundim, deputeti demokrat theksoi se, sipas tij, integrimi europian po pengohet nga korrupsioni dhe mbrojtja politike që qeveria u bën zyrtarëve të saj.
“Integrimi po mbahet peng nga Edi Rama. Korrupsioni i tij dhe mbrojtja me imunitet ekstra para drejtësisë janë akte që BE nuk i pranon”, përfundoi Këlliçi.
