Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin Shqipëri-Izrael për sigurinë kibernetike, ku u bashkuan rreth 40 kompani inovative izraelite me fokus forcimin e mbrojtjes kibernetike dhe zhvillimin teknologjik të Shqipërisë dhe rajonit.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe popullit hebre, duke theksuar se shqiptarët kanë mbrojtur hebrenjtë në periudhat më të errëta të historisë.
“Për mua është gjithmonë lajm i mirë kur një hebre vjen në vendin tonë”, deklaroi Rama.
Ai falënderoi organizatorët e samitit dhe vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me Izraelin në fushën e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.
“Kuptoj që nuk është e lehtë të bësh bashkë shumë izraelitë”, tha kryeministri me nota humori.
Rama kujtoi se Shqipëria u përball me sulme të rënda kibernetike pas strehimit të opozitës iraniane në vend, duke thënë se vendimi për t’i pritur nuk kishte motive politike, por humanitare.
“U hapëm derën mijëra iranëve të opozitës, sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush nuk donte t’i shpëtonte”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, si pasojë e këtij vendimi, Irani ndërmori sulme ndaj infrastrukturës dixhitale shqiptare.
“Kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian që sulmoi atë që kishim ndërtuar për vite të tëra për të transferuar shërbimet nga një sistem korruptiv në një sistem transparent online”, deklaroi kryeministri.
Ai tha se Shqipëria sot ka një nivel më të lartë të mbrojtjes kibernetike falë bashkëpunimit me Izraelin.
“Sot kemi një nivel të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike falë bashkëpunimit me Izraelin dhe talentet izraelite”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se në Shqipëri nuk ekziston antisemitizmi dhe se vendi mbetet mikpritës për komunitetin hebre.
“Për hebrenjtë Shqipëria është shtëpi dhe dëshiron të mbetet e tillë. Nuk ka anti-semitizëm në Shqipëri”, përfundoi ai.
