Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për disa nga të pandehurit në dosjen “Meta-Kryemadhi”.
Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar këtë të hënë në GJKKO, ku gjykata vendosi të pranojë procedurën e gjykimit të shkurtuar për Pirro Xhixhon, Fatime Kryemadhin dhe Ema Xhixhon.
Gjykimi i shkurtuar u jep të pandehurve mundësinë që çështja të shqyrtohet mbi bazën e akteve të administruara në dosjen hetimore, pa zhvillimin e një procesi të plotë gjyqësor me administrim të ri provash. Në rast shpalljeje fajtorë, ata përfitojnë ulje të dënimit me një të tretën.
Seanca në GJKKO u zhvillua në kuadër të procesit ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët po përballen me akuza të lidhura me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.
