Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka ashpërsuar tonet ndaj drejtimit aktual të Partia Demokratike, duke deklaruar nga Peshkopia se partia nuk mund të rikthehet në pushtet me lidershipin e sotëm.
Gjatë një takimi me mbështetës demokratë në Dibër, Salianji tha se kërkesa për ndryshim ndihet në të gjithë Shqipërinë dhe se PD duhet të hapet dhe të rikthehet te vlerat themeluese.
“E vërteta është e thjeshtë, kjo parti nuk vazhdon dot më kështu. Nuk pretendojmë dot ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë dot veten”, deklaroi ai.
Salianji u shpreh se qytetarët janë të pakënaqur me qeverinë e Edi Rama, por sipas tij nuk mbështesin as lidershipin aktual të opozitës.
“Sali Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet, as sot, as nesër dhe as kurrë”, tha ish-deputeti demokrat, duke shtuar se çdo ditë që Sali Berisha qëndron në krye të partisë është “humbje për PD-në dhe opozitën”.
Ai kritikoi gjithashtu sulmet ndaj diplomatëve europianë dhe deklaratat e fundit ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
“PD nuk duhet të jetë frëngji ku gjuhen ambasadorët”, deklaroi Salianji, duke u distancuar nga qëndrimet e Berishës.
Sipas tij, opozita duhet të ndërtojë partneritete dhe të bashkojë demokratët, në vend që të përçahet nga konfliktet e brendshme.
Gjatë fjalës së tij, Salianji tha se prej pesë muajsh po zhvillon takime në të gjithë vendin me demokratë dhe qytetarë, ndërsa paralajmëroi se lëvizja e tij do të shtrihet edhe në Tiranë.
Ai e cilësoi situatën aktuale si krizën më të thellë të Partia Demokratike ndër vite dhe kërkoi përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme elektorale.
