Jamarbër Malltezi reagoi pas përfundimit të seancës gjyqësore në GJKKO për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, duke kritikuar dëshmitë e paraqitura gjatë procesit.
Në një deklaratë për mediat, Malltezi tha se dëshmitarët e thirrur në seancën e sotme nuk vunë në dyshim pronësinë e familjes Begeja mbi truallin në fjalë.
Sipas tij, ish-presidenti i klubit sportiv “Partizani”, Albert Xhani, ka deklaruar në gjykatë se nuk kishte dijeni për statusin e pronësisë së truallit.
Malltezi ironizoi gjithashtu dëshmitë e dhëna nga personat e thirrur nga prokuroria, duke pretenduar se ata shfaqën mungesë kujtese për çështje të rëndësishme të procesit.
Ai komentoi edhe dëshminë e Taulant Balla, duke deklaruar se deputeti socialist kishte pohuar se disa prej informacioneve i kujtoheshin vetëm nga mediat.
“Surpriza ishte demenca e dëshmitarëve të prokurorisë. Taulant Balla vetë thotë: ‘Kam amnezi, më kujtohet nga mediat’”, deklaroi Malltezi.
Në vijim, ai u ndal edhe te ankimi në Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasbourg, duke pretenduar se procesi ndaj tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha është i motivuar politikisht.
Dosja “Partizani” lidhet me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv në Tiranë, ku SPAK ka ngritur akuza ndaj disa personave, mes tyre edhe Berishës dhe Malltezit.
