Ish-drejtori i Klubit Sportiv “Partizani”, Afrim Tola, dëshmoi sot në GJKKO në kuadër të procesit gjyqësor për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë.
Gjatë dëshmisë së tij, Tola deklaroi se gjatë periudhës kur drejtonte klubin, nga viti 2006 deri në 2008, godinat e kompleksit kanë qenë të amortizuara dhe një pjesë e tyre të zëna nga familje informale.
Ai pranoi se kishte qenë pjesë e komisionit të inventarizimit të aseteve të klubit, por tha disa herë se nuk i kujtoheshin detajet konkrete mbi procedurat apo vlerësimet financiare të objekteve.
“Në kohën time stafi ishte i reduktuar dhe fondet minimale. Vetëm sportistët elitarë merrnin pagesa”, deklaroi Tola para gjykatës.
Gjatë pyetjeve të prokurores së SPAK, Elida Millonai, ai konfirmoi se kishte marrë pjesë në grupin e ngritur për evidentimin e aseteve të klubit, por sqaroi se roli i tyre kishte qenë vetëm identifikimi i objekteve.
Në seancë, avokati i Malltezit përmendi një formular ku vlera e objekteve rezultonte rreth 20 milionë lekë, por Tola u përgjigj se këto ishin “akte të financës” dhe se nuk mbante mend shifrat konkrete.
Pyetje pati edhe nga vetë Jamarbër Malltezi, i cili e pyeti dëshmitarin nëse kishte dijeni për shkresa të vitit 2003 ku thuhej se godinat e klubit ishin të zëna forcërisht dhe nëse ato mbanin firmën e Edi Rama, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Tola deklaroi se nuk i kujtohej dokumentacioni konkret, por pohoi se “shumica e godinave kanë qenë të zëna”.
Procesi në GJKKO vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë të thirrur nga SPAK lidhur me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
