Në seancën gjyqësore ndaj Ilir Meta në GJKKO, ish-bashkëshortja e tij dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi ngriti shqetësime lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit dhe administrimin e provave nga SPAK.
Kryemadhi mbështeti kërkesat e avokatit Kujtim Cakrani për mënyrën e trajtimit të Metës në sallën e gjyqit, duke kundërshtuar mbajtjen e tij pas kafazit prej xhami.
“Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim: edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah”, deklaroi ajo gjatë seancës.
Ish-deputetja pretendoi gjithashtu se materiali hetimor i dorëzuar nga prokuroria nuk është i aksesueshëm plotësisht. Sipas saj, një USB me prova të marra nga akuza nuk funksionon dhe mungojnë materiale të rëndësishme, përfshirë përgjime ambientale.
“Kërkoj të më vendosen siç duhet materialet. Në listën e provave përmenden mbi 20 përgjime ambientale, por ato nuk ndodhen në materialet e dorëzuara”, u shpreh Kryemadhi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK deklaruan se problemi teknik me USB-në do të zgjidhet dhe materialet do të rivihen në dispozicion.
Gjykata sqaroi se nuk mund të dorëzojë dokumente që nuk i disponon vetë dhe theksoi se është detyrim i organit procedues t’u sigurojë palëve akses në të gjitha aktet hetimore.
Procesi ndaj Ilir Meta vijon mes debateve procedurale dhe kërkesave të mbrojtjes për më shumë transparencë dhe akses në provat e administruara nga prokuroria.
