Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar turin e takimeve me mbështetësit në Peshkopi, ku ka artikuluar mesazhe të forta për ndryshime brenda PD-së dhe përballje me drejtimin aktual të partisë.
Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se Partia Demokratike duhet të rikthejë frymën mobilizuese dhe të frymëzojë qytetarët për ndryshim.
“Ne duhet të frymëzojmë ndryshimin dhe të çojmë mbi 800 mijë votues në kutitë e votimit. PD duhet të ndryshojë”, u shpreh ai.
Salianji tha se lëvizja e nisur prej tij synon ndërtimin e një partie më të hapur dhe më të fortë politikisht, duke shtuar se mbështetja që po merr nga baza demokrate është e paprecedentë.
“Nuk kemi parë kurrë në historinë e PD të sfidohet kryetari në detyrë dhe të ketë këtë mbështetje nga demokratët”, deklaroi ai.
Ish-deputeti paralajmëroi gjithashtu se takimet dhe organizimi do të shtrihen edhe në Tiranë.
“Tirana po pret. Ata që bëjnë zgjedhjet e degëve fshehurazi, do ta shkundim edhe Tiranën”, tha Salianji.
Në fund të fjalës së tij, ai deklaroi se nuk do të tërhiqet përballë presioneve apo sulmeve politike.
“Nuk zmbrapsemi, me ne u ka ngecur sharra në gozhdë”, u shpreh Salianji, duke shtuar se ai dhe mbështetësit e tij “as nuk tremben dhe as nuk shantazhohen”.
