Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Lezhë, ku u dhunua ish-kryetari i Partia Demokratike në njësinë administrative të Dajçit në Zadrimë, Sokol Toma.
Sipas informacioneve paraprake, 53-vjeçari është sulmuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kanë qenë të maskuar dhe e kanë goditur me sende të forta.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se Toma ka pësuar dëmtime të rënda fizike, ndërsa agresorët dyshohet se i kanë thyer të dyja këmbët dhe i kanë prerë një pjesë të veshit.
Ai ndodhet i shtruar në pavijonin e ortopedisë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar rreth orës 22:00 në aksin Mamurras–Laç, në zonën e Sanxhakut.
Deri tani nuk dihen motivet e sulmit, ndërsa policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
