Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është drejtuar sërish Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë.
Në kërkesën e depozituar në GJKKO, Beqaj ka ofruar edhe një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh, duke kërkuar të dalë nga paraburgimi ku ndodhet prej korrikut të vitit 2024.
Burime bëjnë me dije se kësaj here mbrojtja i ka bashkëngjitur kërkesës edhe një vendim të Gjykata e Lartë lidhur me standardet për masën e sigurisë “arrest me burg”.
Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.
Sipas SPAK, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC, Beqaj dyshohet se ka urdhëruar kryerjen e procedurave fiktive të prokurimit gjatë viteve 2022-2023 për projektet e EUSAIR, në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian.
Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm formalisht në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kontratave me kompani të ndryshme.
