Jair Bolsonaro nuk do të përfitojë për momentin nga ulja e dënimit të tij me burg, pasi Gjykata Supreme e Brazil ka pezulluar zbatimin e projektligjit që mund të çonte në lirimin e tij të parakohshëm.
Vendimi u mor nga gjyqtari Alexandre de Moraes, i cili urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të ligjit deri në përfundimin e shqyrtimit kushtetues nga gjykata.
Bolsonaro është dënuar me 27 vite burg për përfshirje në një komplot për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Projektligji i miratuar vitin e kaluar parashikonte një ulje të ndjeshme të dënimit, duke e reduktuar atë në pak më shumë se dy vite burg.
Ligji u kundërshtua nga dy parti politike braziliane dhe nga Shoqata Braziliane e Shtypit (ABI), të cilat argumentuan se masa ishte antikushtetuese dhe cenonte sistemin demokratik të vendit.
Muajin e kaluar, Kongresi brazilian rrëzoi veton e presidentit Luiz Inacio Lula da Silva ndaj projektligjit, por çështja përfundoi në Gjykatën Supreme pas kërkesave për anulimin e tij.
Sipas vendimit të Moraes, projektligji nuk mund të zbatohet derisa gjykata të japë një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e tij.
Ligji do të ulte gjithashtu dënimet për personat e përfshirë në trazirat e janarit 2023, kur mbështetës të Bolsonaro-s sulmuan pallatin presidencial, Kongresin dhe Gjykatën Supreme në Brasilia.
Ndërkohë, avokatët e Bolsonaro-s kanë paraqitur një kërkesë tjetër në Gjykatën Supreme për rishikimin e dënimit penal, duke synuar rrëzimin e vendimit ndaj ish-presidentit.
Bolsonaro aktualisht po vuan dënimin në arrest shtëpiak për arsye shëndetësore, pas një periudhe fillestare prej 90 ditësh të autorizuar nga autoritetet gjyqësore.
