Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me korrupsion të thellë, pabarazi sociale dhe largim masiv të të rinjve.
Në reagimin e tij, Këlliçi u shpreh se vendi sot gjendet më i zbrazur se kurrë për shkak të emigracionit, ndërsa sipas tij qeveria është përfshirë në aferat më të rënda korruptive në historinë e vendit.
Ai akuzoi kryeministrin se “e ka vendosur veten mbi ligjin”, duke iu referuar votimeve në Kuvend dhe mbrojtjes politike të zyrtarëve të lartë nga drejtësia.
Sipas Këlliçit, ndërhyrja e policisë gjatë protestës së opozitës ishte një tjetër shenjë e përshkallëzimit të tensionit politik në vend.
“Vetëm një natë më parë, Edi Rama ndaloi protestën me dhunë policore dhe ndërpreu marshimin e qytetarëve që protestonin kundër korrupsionit”, deklaroi ai.
Këlliçi shtoi se pavarësisht propagandës dhe aktiviteteve zyrtare, realiteti në Shqipëri mbetet i rënduar nga kriza ekonomike dhe sociale. Ai theksoi se rezistenca qytetare dhe protestat opozitare janë, sipas tij, “e vetmja gjë europiane në politikën shqiptare sot”.
Në përfundim, deputeti demokrat deklaroi se kauza e opozitës bazohet mbi vlera dhe parime demokratike dhe se ajo “do të triumfojë herët apo vonë”.
