Ish-prokurori Eugen Beçi ka ngritur shqetësime të forta mbi mënyrën e zbatimit të masave të sigurisë në sistemin shqiptar të drejtësisë, duke deklaruar se kultura e “arrestimeve spektakël” po dëmton standardet ligjore dhe të drejtat e qytetarëve.
Gjatë një interviste televizive, Beçi kritikoi gjykatat për mungesë individualizimi të masave të sigurisë, duke theksuar se në shumë raste personat ndalohen dhe mbahen në burg pa një analizë konkrete të rrezikshmërisë së tyre.
“Drejtësia shqiptare është ndikuar nga kultura e arrestimeve spektakël”, deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët shpesh trajtohen në mënyrë të njëjtë në kuadër të fushatave të ndërmarra nga institucionet ekzekutive.
Sipas Beçit, praktika të tilla janë parë në rastet e ndërtimeve pa leje apo arrestimeve të personave të kapur në gjendje të dehur, ku sipas tij gjykatat kanë aplikuar në masë arrestin me burg.
“Kjo sjell një inflacion të masës së sigurisë arrest me burg”, u shpreh ish-prokurori.
Ai kritikoi gjithashtu presionin që, sipas tij, ushtrohet mbi sistemin gjyqësor, duke thënë se gjyqtarët shpesh shmangin vendimet më të buta nga frika e sulmeve politike apo institucionale.
Beçi komentoi edhe rastet e figurave të njohura politike si Ilir Meta dhe Erion Veliaj, duke deklaruar se arrestimet e tyre kanë ngritur pyetje mbi kohën dhe mënyrën e veprimit të institucioneve të drejtësisë.
“Politikës kur i erdhi halli në oborrin e vet, u kujtua dhe për hallin e qytetarëve”, tha Beçi.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë debatesh të forta publike mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, përdorimin e masave të sigurisë dhe raportin mes politikës dhe institucioneve të pavarura.
