Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas tensioneve dhe ndërhyrjes së policisë gjatë protestës së opozitës në Tiranë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për cenim të demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për të protestuar.
Në deklaratën e tij, Këlliçi e cilësoi ndërhyrjen e policisë ndaj marshimit të opozitës si një akt të rëndë kundër lirive demokratike, ndërsa tha se bllokimi i protestës paqësore përbën “fundin zyrtar të demokracisë dhe bashkëjetesës politike në vend”.
Sipas tij, qeveria po përshkallëzon tensionin politik dhe po tenton të vendosë një regjim shtypës ndaj opozitës dhe qytetarëve që protestojnë.
“Moslejimi i marshimit paqësor, me skalione force është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 35 vite në vendin tonë. Është shkelje brutale e lirisë dhe të drejtës themelore të qytetarëve”, deklaroi Këlliçi.
Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu Ramën për kontroll të institucioneve, censurë të mediave dhe pengim të opozitës, ndërsa paralajmëroi se përshkallëzimi i situatës politike mund ta çojë vendin drejt konfliktit civil.
Reagimi i Këlliçit erdhi pas përplasjeve të forta mes protestuesve dhe policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë mbrëmjes u përdorën gaz lotsjellës, ujë me presion dhe u regjistruan incidente të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
