Deputeti socialist Erion Braçe ngriti në Kuvend shqetësimin për çmimet e larta të hidrokarbureve në Shqipëri, duke deklaruar se problemi kryesor lidhet me modelin e tregut dhe mënyrën e taksimit të karburanteve.
Gjatë diskutimeve në seancën plenare, Braçe pranoi se krizat ndërkombëtare kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, por theksoi se edhe struktura e tregut vendas ka rol të rëndësishëm.
“Modeli i tregut mban çmimet e larta dhe për shkak të këtij modeli kemi këtë situatë”, deklaroi ai.
Braçe u përfshi në replika të forta me kreun e PD-së, Sali Berisha, duke kujtuar se taksa e qarkullimit mbi karburantet ishte vendosur nga qeveritë e mëparshme.
Ai tha se mazhoranca aktuale ka tentuar të krijojë më shumë drejtësi fiskale dhe shtoi se personalisht ka qenë kundër disa lehtësive fiskale për kategori të caktuara.
“Kam votuar kundër edhe për çështjen e jahtit”, u shpreh Braçe gjatë debatit në sallën e Kuvendit.
Deputeti socialist kritikoi gjithashtu mungesën e debatit mbi funksionimin e tregut të hidrokarbureve dhe akuzoi opozitën se po mbron interesat e tregtarëve të mëdhenj të karburanteve.
