Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka kritikuar ashpër funksionimin e Kuvendit gjatë fjalës së tij në seancën plenare, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe shmangie të llogaridhënies institucionale.
Balliu u ndal te projekti “Smart City”, për të cilin tha se nuk ka marrë asnjë informacion nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
“Kam kërkuar informacion për Smart City-n dhe nuk vjen absolutisht asnjë përgjigje. Këtu duket sikur janë bërë tre qeveri”, deklaroi ai.
Sipas deputetit opozitar, Kuvendi po humbet funksionin e tij kushtetues si institucion kontrolli ndaj ekzekutivit, ndërsa interpelancat dhe kërkesat për informacion po refuzohen sistematikisht.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e kryeministrit në seancat parlamentare.
“Është i vetmi parlament në botë që kryeministri nuk vjen në 90% të seancave. Edhe kur vjen, qëndron vetëm pesë minuta”, tha Balliu.
Deputeti demokrat akuzoi mazhorancën se po e kthen parlamentin në një institucion formal pa ndikim real në qeverisje dhe vendimmarrje.
“Parlamenti është kthyer totalisht qesharak për nga funksioni. Interpelanca jo, komisione hetimore jo. Nuk kemi asnjë mundësi reale kontrolli”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Balliu iu referua edhe kritikave të Bashkimit Europian për funksionimin e institucioneve në Shqipëri, duke thënë se edhe raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për rolin e Kuvendit dhe respektimin e standardeve demokratike.
“Ju flisni për integrimin europian, por refuzoni rekomandimet e Parlamentit Europian dhe të ambasadave”, deklaroi deputeti i PD-së.
