Sali Berisha: 47% e shqiptarëve janë larguar për shkak të politikës çnjerëzore të Edi Rama! Protestat tona janë bërë zëri i Shqipërisë në botë

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me qytetarët dhe mbështetësit e Degës 5 në Tiranë, ku akuzoi qeverinë e Edi Rama për, sipas tij, “shkretimin më të madh” që ka përjetuar Shqipëria në dekadat e fundit.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se largimi masiv i shqiptarëve nga vendi është pasojë e një politike që ai e cilësoi çnjerëzore, duke theksuar se qytetarët po largohen për shkak të varfërisë, mungesës së shpresës dhe korrupsionit.

“Nga viti 2015 deri në vitin 2024 janë larguar mbi 1 milion shqiptarë vetëm drejt vendeve të hapësirës Shengen. Në total, Shqipëria ka humbur rreth 47% të popullsisë së saj në një dekadë,” deklaroi Berisha.

Ai krahasoi situatën aktuale me projektet historike të shpopullimit të shqiptarëve, duke akuzuar qeverinë se po përdor metoda të ngjashme përmes mungesës së shërbimeve, papunësisë dhe vështirësive ekonomike.

Kreu i PD-së u ndal edhe te gjendja ekonomike në vend, duke deklaruar se shqiptarët janë sot më të keqpaguarit në rajon, ndërsa çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe banesave janë rritur ndjeshëm.

Berisha kritikoi edhe skemën e bonusit për pensionistët, duke e cilësuar atë një mashtrim.

“Asnjë qindarkë nga fondi 240 milionë euro nuk është disbursuar,” u shpreh ai.

Sipas tij, të rinjtë po largohen pasi nuk arrijnë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri dhe nuk kanë mundësi të blejnë banesa në Tiranë, të cilën e cilësoi si një nga qytetet me çmimet më të larta të apartamenteve në Europë.

Berisha akuzoi qeverinë se favorizon oligarkët dhe grupet kriminale, duke deklaruar se paratë e drogës dhe korrupsionit po përdoren për ndërtimin e kullave në kryeqytet, ndërsa qytetarët përballen me pasiguri ekonomike.

Një pjesë e fjalës së tij iu kushtua edhe sistemit të drejtësisë dhe trajtimit të opozitës. Ai iu referua rastit të Ilir Meta, duke akuzuar qeverinë për rikthim të praktikave të diktaturës në sallat e gjyqit.

Berisha vlerësoi protestat e opozitës, duke deklaruar se ato kanë sensibilizuar ndërkombëtarët për situatën politike në Shqipëri.

“Protestat tona janë bërë zëri i Shqipërisë në mbarë kombin dhe botën,” tha ai.

Në fund të takimit, lideri demokrat u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e opozitës më 8 maj, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për përballjen me qeverinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related