Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin fatal në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një i tretë.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës së Spitallës, gjyshja e njërit prej viktimave kishte telefonuar policinë vetëm pak minuta përpara tragjedisë për të denoncuar lëvizjet me shpejtësi të lartë të drejtuesit të mjetit, Nikoll Radaçi.
Banorët pretendojnë se shqetësimet ndaj autoriteteve kishin qenë të vazhdueshme prej kohësh, pasi sipas tyre drejtuesi i automjetit lëvizte shpesh në mënyrë të rrezikshme në zonë.
“Ka marrë policinë në telefon disa minuta para se të ndodhte ngjarja… As erdhi njeri dhe pak minuta më pas pamë tmerrin,” deklaroi një dëshmitare.
Sipas banorëve, në adresë të policisë ishin bërë qindra ankesa dhe telefonata për shpejtësinë dhe sjelljen e rrezikshme në rrugë.
Pas aksidentit tragjik, Policia e Shtetit pezulloi disa drejtues lokalë të policisë në Durrës, ndërsa kanë nisur hetime administrative dhe penale për rolin dhe reagimin e efektivëve.
Ndërkohë, banorët pretendojnë se institucionet kishin neglizhuar edhe kërkesat për masa sigurie rrugore në zonë, përfshirë vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë dhe vijave të bardha pranë një shkolle.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike dhe protesta qytetare, ndërsa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
