Parlamenti Europian përmend çështjen e Belinda Balluku: “Imuniteti duhet trajtuar strikt”, raporti për Shqipërinë kritikon ndërhyrjet politike dhe vonesat

Data

Raporti i fundit për Shqipërinë i miratuar nga Parlamenti Europian ka ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e imunitetit parlamentar, duke përmendur në mënyrë të tërthortë edhe rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në dokumentin e miratuar me shumicë votash, theksohet se imuniteti parlamentar është një element thelbësor i funksionimit të institucioneve demokratike, por vendimet për heqjen apo ruajtjen e tij duhet të merren në mënyrë strikte, në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat ligjore.

Raporti nënvizon qartë se çdo proces i lidhur me imunitetin duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet politike dhe të mos shoqërohet me vonesa të pajustifikuara, duke kërkuar respektim të standardeve demokratike.

Kjo çështje lidhet me zhvillimet e fundit në vend, ku SPAK kishte kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut për t’i hapur rrugë procedurave penale, por kërkesa u rrëzua në Kuvend nga mazhoranca.

Ndërkohë, sipas raportimeve mediatike, pritet që kjo çështje të rikthehet sërish në fokus institucional, ku përfaqësues të drejtësisë, përfshirë prokurorë të çështjes, mund të paraqiten në Kuvend për të sqaruar kërkesën dhe procedurat e ndjekura.

Raporti i Parlamenti Europian konsiderohet një sinjal i rëndësishëm për institucionet shqiptare, duke theksuar nevojën për një ndarje të qartë mes politikës dhe drejtësisë, sidomos në çështje të ndjeshme që lidhen me zyrtarë të lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related