Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë të mitur dhe plagosi rëndë një tjetër.
Gazetari Artan Hoxha, gjatë një interviste televizive, bëri të ditur se familja e autorit është larguar menjëherë nga banesa në lagjen ku ndodhi ngjarja, për shkak të frikës nga hakmarrja.
Sipas tij, bashkëshortja dhe fëmijët e autorit janë detyruar të zhvendosen, ndërsa kanë dërguar edhe një letër ndjese drejtuar familjeve të viktimave. Hoxha theksoi se situata reflekton një realitet shqetësues, ku pas ngjarjeve të rënda, familjarët e autorëve ndihen të rrezikuar, pavarësisht se nuk kanë lidhje direkte me krimin.
“Duket sikur jemi në mesjetë, ku gjërat zgjidhen me kanun,” u shpreh ai, duke ngritur shqetësimin për klimën e tensionuar që krijohet në komunitet pas ngjarjeve të tilla.
Gazetari vuri në dukje edhe rolin e strukturave të sigurisë, duke theksuar se parandalimi i situatave të tilla dhe shmangia e përshkallëzimit të konflikteve duhet të jetë prioritet i institucioneve. Ai shtoi se në raste të ngjashme, shpesh kërkohet edhe mbrojtje policore për familjet e përfshira.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur debat jo vetëm për sigurinë rrugore, por edhe për pasojat sociale që sjellin tragjedi të tilla në komunitet.
