Një aksident tragjik në aksin Librazhd–Përrenjas i ka marrë jetën Li Jianhong, një prej sipërmarrësve më të njohur në Kina, ndërsa gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas mediave kineze, 60-vjeçari ndodhej në Shqipëria për një vizitë pune, së bashku me shtetas të tjerë kinezë, në kuadër të projekteve dhe interesave të tij në biznes.
Li Jianhong ishte president i një grupi të madh kompanish me aktivitet në telekomunikacion, turizëm dhe investime, duke menaxhuar asete me vlerë të konsiderueshme dhe duke punësuar mijëra persona. Ai ishte gjithashtu themelues i një prej resorteve më të njohura të skive në qytetin e Urumqit.
Karrierën e kishte nisur në sektorin e telekomunikacionit, përpara se të ndërtonte biznesin e tij privat, i cili u shndërrua në një nga kompanitë më të rëndësishme në rajonin e Xinjiangut.
Përveç suksesit në biznes, ai njihej edhe për pasionin ndaj alpinizmit dhe sporteve dimërore. Ai kishte përfunduar sfidën e njohur të shtatë majave më të larta të botës dhe kishte arritur në të dy polet, duke u renditur mes alpinistëve me arritje të rralla.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe edhe në mediat ndërkombëtare, ndërsa rrethanat e aksidentit vijojnë të hetohen nga autoritetet shqiptare.
